Konferenca kushtuar marrëdhënieve ndërmjet sistemit të drejtësisë dhe medias nisi punimet me fjalën përshëndetëse të Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, z. Arben Rakipi. Ai e cilësoi raportin mes drejtësisë dhe medias si një temë që qëndron në zemër të çdo shoqërie demokratike.
“Është një marrëdhënie që mund të përkufizohet me tri fjalë: e domosdoshme, delikate dhe e vështirë. E domosdoshme, sepse pa një media të lirë dhe pa një drejtësi të pavarur, demokracia humbet dy prej shtyllave të saj kryesore. Delikate, sepse prek të drejta dhe liri themelore. E vështirë, sepse përfshin institucione me logjika dhe ritme të ndryshme funksionimi.
Kjo marrëdhënie është përkufizuar edhe si ajo mes miqsh të këqij ose armiqsh të mirë. Cilido qoftë përkufizimi më i përshtatshëm, ai mbart në vetvete detyrimin për bashkëjetesë”, u shpreh z. Rakipi.
Konferenca do të vijojë me tri panele:
Paneli I: “Balancimi i pavarësisë profesionale dhe perceptimit publik në vendimmarrjen gjyqësore” – moderator z. Sokol Berberi.
Paneli II: “Strategjitë e komunikimit institucional me publikun dhe median” – moderator z. Vangjel Kosta
Paneli III “Etika dhe konfidencialiteti në komunikimin e proceseve gjyqësore” – moderatore znj. Aida Bushati
Në përmbyllje të kësaj konference do të zhvillohet edhe ceremonia e diplomimit të kandidatëve për magjistratë 2023-2026.
Për më shumë informacion mund të shihni agjendën bashkëngjitur.





Shkolla e Magjistraturës